Mesfushori kosovar i Kombëtares Kuqezi, Lorik Cana, ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë pjesëtarëve të përfaqësueses së Shqipërisë në ndeshjen e të shtunës kundër Hungarisë, duke filluar nga futbollistët, trajnerët dhe drejtuesit tjerë.
Hungaria është e vetmja skuadër e cila e ka mposhtur Shqipërinë në këto eliminatore, ndërsa Cana pohon se humbja ka ardhur si pasojë e gabimeve të skuadrës kuqezi, ndërkohë nëse Shqipëria e dëshiron hakmarrjen, atëherë duhet të bazohet më tepër në fazën e sulmit dhe jo të luajë lojë defanzive.
“Në këtë ndeshje nuk kemi rrugë tjetër. Edhe dëshira e tifozëve është të sulmojmë, kështu që nuk mund ta presim kundërshtarin në fushën tonë. Megjithatë, e theksoj, nuk duhet të bëjmë gabime në fazën mbrojtëse, që kundërshtari të mund të na ndëshkojë”, është cituar Cana nga “Sporti Shqiptar”.