Përfaqësuesja e Shqipërisë ka pësuar humbje minimale nga përfaqësuesja e Hungarisë, në takimin e vlefshëm për Grupin e Parë në fazën e kualifikuese të Kampionatit Botëror.
Lojtarët kuqezi zhvilluan një ndeshje më të mirë se kundërshtari i tyre, sidomos në pjesën e parë, mirëpo duke mos qenë të aftë të shënojnë në portën kundërshtare dhe në këtë mënyrë u dënuan nga mysafirët.
Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Torghelle (38’) pas një gabimi të Armend Dallkut brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit.
Në pjesën e dytë kuqezinjtë patën disa raste të pakonkretizuara, megjithatë edhe kjo ishte një lojë tipike e përfaqësues së Shqipërisë, e cila gjatë gjithë kohës mundohet të bëjë diçka, por nuk ka sukses t’i çojë deri në fund aksionet.
Në takimin tjetër të Grupit të Parë, Danimarka ka shënuar fitore prej 3-0, si mysafir i Maltës.