Trajneri Arie Haan ka thënë se ka njerëz në mesin e shqiptarëve të cilët nuk ia duan të mirën kombëtares kuqezi dhe dëshirojnë dështimin e saj.
Holandezi ka qenë mjaft i ashpër në akuza, duke sulmuar drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa”, i cili nuk ka lejuar lojtarët të zhvillojnë seancë stërvitore në këtë fushë.
“Dua të shtoj diçka për stërvitjen që kemi në mbrëmje. Gjithmonë në grumbullimin e kombëtares bëhet një plan stërvitor, ku përfshihet edhe një seancë në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. Vetëm një ditë më parë jam njoftuar se nuk mund ta zhvillonim këtë seancë”, ka thënë Haan.
“Vetëm një pyetja kisha: Pse ky zotëri kërkon të marrë një përgjegjësi kaq të madhe, për të mos na lejuar të stërvitemi në ‘Qemal Stafa’? Mendoj se pas këtij njeriu duhet të fshihen të tjerë. Si duket, nuk janë të interesuar që kombëtarja të bëjë një paraqitje të mirë. Janë njerëz që nuk i duan të mirën kombëtares. Nuk mund ta shpjegoj ndryshe këtë situatë”, ka shtuar mes tjerash trajneri holandez.
Deklarata e Haan kishte nxitur menjëherë përgjigje nga ana e drejtuesve të stadiumit, dhe kombëtarja mbrëmë ka mundur të zhvillojë seancën e paraparë.