Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet qëndrimin e institucioneve të Kosovës se UNMIK-u duhet t'i japë fund misionit të tij në vendin tonë. Gjatë një konference për shtyp nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri theksoi se ka ardhur koha që misioni i UNMIK-ut të mbyllet.
UNMIK-u dhe Kombet e Bashkuara përfundimisht duhet të "ulin flamurin" e tyre në Kosovë, për t'i dhënë hapësirë mandatit dhe atyre që Kushtetuta e Kosovës pas negociatave të Vjenës, i njeh në Kosovë, theksoi Haziri. Por ai tha se forcat e NATO-s, prezente në Kosovë, me mandat të njohur kushtetues, duhet të vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.
Në anën tjetër Haziri vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e EULEX-it në shtrirjen e tij në tërë territorin e Kosovës, duke thënë se mandati i misionit të BE-së duhet të forcohet dhe të ecë përpara bashkë me institucionet e Kosovës.
Haziri foli edhe për identitetin e LDK-së e cila ka hyrë në 20-vjetorin e themelimi të saj, duke thënë se ajo është një parti politike e cila "me vizionin dhe ideologjinë rugoviane tashmë ka arritur de fakto dhe de jure të përmbyllë misionin e vet".
Njëkohësisht ai tha se LDK po angazhohet që në kuadër të institucioneve të Kosovës ta ruajë konsensusin kosovar, e gjithë atyre që janë pjesë e këtij përcaktimi për të ndërtuar dhe për t'u angazhuar që ky identitet të reflektojë në shtetësinë e vendit tonë.
Por Haziri ka kritikuar ata përvetësojnë trashëgiminë dhe vlerat e LDK-së, por iu adresuar askujt. Ai tha se bartësit e kësaj trashëgimie janë njerëzit e LDK, është lideri i saj, lideri i i LDK-së, janë strukturat e simpatizantët e saj që mbështesin LDK-në.