Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hammarberg tha të premten në Prishtinë se këto të drejta nuk duhet të jenë peng i tensioneve dhe mospajtimeve politike.
Hammarberg tha se është e natyrshme që zhvillimet politike ushtrojnë ndikim në fushën e të drejtave të njeriut, po çështja është se këto të drejta duhet të trajtohen individualisht dhe jashtë këtyre zhvillimeve.
Ai i bëri këto komente në fund të një vizite faktmbledhëse në Kosovë, gjetjet e së cilës do të jenë pjesë e një raporti të posaçëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend.
Kosova, tha Hammarberg, ka kuadër të mirë ligjor dhe një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por zbatimi i tyre është çështje me rëndësi thelbësore. Ai i bëri thirrje parlamentit të Kosovës që t’u jap fund zvarritjeve të procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Hammarberg tha se një çështje që është zvarritur tej mase dhe që ngërthen në vete edhe komunitetin ndërkombëtar është ajo e rreth 2 mijë personave të zhdukur, fati i të cilëve është ende i panjohur. Kësaj çështjeje duhet t’i jepet përparësi, tha ai. Ai veçoi edhe gjendjen e rëndë në kampet e pjesëtarëve të komunitetit romë në veriun e Mitrovicës të cilët jetojnë në një zone me shkallë të lartë të ndotjes me plumb.
Hammarberg po ashtu tërhoqi vërejtjen edhe për gjendjen jo të mirë ekonomike në vend dhe për këtë arsye tha ai, do të kërkojë nga qeveritë e vendeve perëndimore që të mos nguten me kthimin e refugjatëve nga Kosova, përveç rasteve të kthimit vullnetar.
Parandalimi i korrupsionit, lufta kundër dhunës familjare, respektimi i pakicave dhe personave me aftësi të kufizuara janë disa nga sfidat që komisioneri i Këshillit të Evropës pritet t’i radhisë në raportin e tij mbi të drejtat e njeriut në Kosovë.