Shefi i diplomacisë kosovare, Skender Hyseni ka vazhduar lobimin në New York për njohjen e shtetit të Kosovës. Ai ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm takimesh me ambasadorët e vendeve të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa ka marrë sinjal nga Shën Lucia dhe Uganda se këto dy shtete së shpejti do ta njohin Kosovën...
Përfaqësuesi i përhershëm i Shën Lucias në OKB, ambasadori Donatus Keith St. Aimee, ka theksuar si fakt tepër të rëndësishëm njohjen e Kosovës nga pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së, si dhe nga fqinjët. "Ne përkrahim vullnetin e njerëzve dhe të popujve për të vendosur vetë se si duan të jetojnë. Ne përkrahim vullnetin e popullit të Kosovës për të pasur fatin në duart e veta. Qeveria e Shën Lucias shpejt do të marrë vendimin për njohjen e Kosovës", ka thënë Aimee në një takim me Hysenin.
Premtim për njohjen e Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni e ka marrë edhe nga ambasadorja e Gambias në OKB, Susan Waffa-Ogoo. Ambasadorja e Gambias ka thënë që qeveria e vendit të saj i ndjek me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe rreth Kosovës. Sa i takon njohjes, ambasadorja Waffa-Ogoo ka siguruar ministrin e Jashtëm të Kosovës se vendimi nga qeveria e Gambias do të vijë shpejt.
Në vazhdën e takimeve të ditës së djeshme që ministri Hyseni i pati me diplomatë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB – sipas një komunikate të MPJ-së – i frytshëm mund të konsiderohet edhe takimi me ambasadorin e Haitit në OKB, Leo Merores. Ambasadori i Haitit e ka siguruar ministrin Hyseni se qeveria e vendit të tij shumë shpejt do të shqyrtojë me seriozitetin më të madh kërkesën e Kosovës për njohje.
Shefi i diplomacisë kosovare ka zhvilluar takim edhe me ambasadorin Diego Morejon-Pazmino nga Ekuadori, pastaj me ambasadorin e Guatemalës, Gert Rosenfal, atë të Ugandës, Ruhakana Rugunda dhe ambasadorin e Japonisë në OKB, Takasu.
Hyseni ka marrë premtimin se Ekuadori do të ndjekë hap pas hapi proceset, do të shqyrtojë me kujdes zhvillimet që të arrijë vendimi i rëndësishëm për Kosovën, ndërsa përfaqësuesi i Guatemalës e ka siguruar ministrin kosovar se koha punon në të mirë të Kosovës dhe se vendimi për njohjen e vendi tonë po shqyrtohet bashkë me vendet të tjera latino-amerikane.
Ambasadori i Ugandës ndërkaq, ka shprehur nevojën e intensifikimit të kontakteve ndërmjet dy vendeve me qëllim të informimit e të bashkëpunimit. Ai ka thënë se Uganda në një kohë optimale do të marrë vendimin e për Kosovën.
Ambasadori japonez ka siguruar ministrin Hyseni se Japonia do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat. Ai po ashtu ka mirëpritur ftesën e ministrit Hyseni që komuniteti japonez i biznesit të investojë në Kosovë.