Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Carme Chacon do të takohet sot në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer me të cilin do të diskutojë vendimin e Madridit për tërheqjen e trupave nga Kosova, njoftojnë burimet spanjolle në Bruksel.
Sipas pohimeve të burimeve të njëjta, ministrja spanjolle me gjasë planifikon të sqarojë arsyet për vendimin e shtetit të saj që deri në fund të verës të tërheqë 630 ushtarë nga forca e KFOR-it, ka njoftuar agjencia italiane e lajmeve Ansa.
Për shkak të këtij vendimi, Spanja është gjetur në mes të kritikave të NATO-s si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe analistët politikë të Spanjës e kanë quajtur një gabim të madh vendimin e qeverisë spanjolle, duke ia përkujtuar Spanjës se Kosova është një çështje evropiane.